Lajme

Rama: Ka perënduar koha kur Presidenti i Republikës përdorte Kushtetutën si koktej molotov

01/18/2024 18:15
nga:G B

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se vendi që ai drejton, nuk ka kohë për të humbur me askënd i cili ka mbetur në kohë të vjetër.

Reagimi i tij vie specifikisht ndaj kauzave që së fundit po bën, Sali Berisha, për të cilin siç thotë Edi Rama, ka perënduar me kohë koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë.

”Ka perënduar me kohë koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov, siç do të mbarojë po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!

Ky vend është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë në çdo aspekt, drejt #Shqipërisë2030.

Prandaj Shqipëria s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij,  rikthimin e kohës së vdekur”.