Lajme

Çuni: Moskës i intereson që të hapë vatra të reja të luftës!

01/17/2024 13:16
nga:Y I

Anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Anton Çuni, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se deklaratat e Serbisë për sulme të reja ndaj ventin tonë janë më shumë për konsum të brendshëm.

Por, Çuni, tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që të përdoren formacionet paramilitare, terroriste të ngjashme që janë përdorur me 24 shtator në Banjskë.

“Ne duhet të kemi parasysh faktin se në Kosovë janë prezente forcat e KFOR dhe çdo aventurë ushtarake nga territori i Serbisë do të provokonte jo vetëm Forcat e Sigurisë së Kosovës, jo vetëm Policinë e Kosovës por do e provokonte edhe forcën më të fuqishme në glob vetë NATO-n. Kështu që deklaratat që vijnë nga Serbia, duke filluar nga ato që deklarohen verbalisht deri tek demostrimi i forcës ushtarake në rrugë, sheshe etj janë më shumë për konsum të brendshëm të Serbisë. Por ne nuk duhet t’i përjashtojmë mundësitë që mund të përdoren formacionet paramilitare, terroriste të ngjashme që janë përdorur me 24 shtator në Banjskë. Do të thotë formacione të cilat kanë mbështetje institucionale por në terren deklarohen se veprojnë pavarur nga politikat e Beogradit” tha Çuni për “Gazeta Blic”.

Ai tha se ka një insistim të autoriteteve të Moskës për të hapur vatra të reja të luftës.

“Ne duhet të kemi parasysh edhe një fakt se përkundër politikave të Serbisë është edhe një insistim i madh i autoriteteve të Moskës. Do të thotë se politikat e tyre ekspansioniste që tashmë praktikohen në Ukrainë, interesimi i tyre që me hap vatra të reja të krizës me kriju një lloj dispresioni të fuqisë ushtarake të NATO-s. Janë të interesuar me hap vatra të reja në Bosnje-Hercegovinë, mes Kosovës dhe Serbisë, e kemi një krizë në Izrael dhe Gaza, po krijohet një krizë në Jemen etj. Ceshtjen e sigurisë në Kosovë ne nuk mundemi me trajtu si një oaz i vetëm por brenda këtyre zhvillimeve globale” deklaroi nënkryetari i LDK-së, Anton Çuni, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

 

Çuni: Tanket që posedon Serbia nuk mund t’i përballojnë raketet ‘Javelin’

A ka rrezik për sulme të reja nga Serbia?- Kështu përgjigjet ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni!