Lajme

“Qeveritë Haradinaj, Hoti ose Mustafa s’mund të krahasohen me atë Kurti, për investimet në ushtri”

01/17/2024 20:47
nga:Sh R

Analisti politik, Gazmir Raci thotë se mjafton të shikohet buxheti i ndarë për armatimin e ushtrisë, nga qeverisjet e kaluara dhe qeverisja Kurti, që të shihet dallimi.

Raci në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se sheh një dallim të madh nga buxheti i ndarë për armatimin e ushtrisë, dhe investimet që po bëhen nga qeverisja Kurti.

“Sa i përket armatosjes së ushtrisë se Kosovës mjafton të shikohet sa ka qenë buxheti i alokuar për ushtrinë nga qeverisja Haradinaj, Hoti ose Mustafa dhe të krahasohet me investimet që po bëhen nga qeverisja Kurti këto 3 vitet e fundit, dhe sheh një dallim kogja të madh në përqindje, sidomos në raport me GDP”, tha ai.

Tutje, ai thotë se kësaj qeverie askush nuk mundet t’ia mohojë përkushtimin dhe vendimet e marra në raport me sektorin e sigurisë.

“Për këtë, çështje është dallimi si nata me ditën, askush nuk mundet me ia mohu kësaj qeverie përkushtimin e saj, zotimin e saj dhe vendimet që i ka marrë në raport me sektorin e sigurisë, si në aspektin e armatimit, paisjeve, municioneve dhe po ashtu në shtrirjen e sovranitetit dhe integritetin në pjesën veriore të territorit të Kosovës”, përfundoi Raci për Gazeta Blic.