Lajme

Policia: Mjetet e dyshuara shpërthyese në QKUK ishin materiale shkollore

01/16/2024 17:09
nga:Sh R

Gjatë ditës së sotme u raportua se janë gjetur mjete të dyshuara shpërthyese në Klinikën e Patologjisë në QKUK

Madje pak më parë, Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka konfirmuar se në Institutet Paraklinike në QKUK janë gjetur disa mjete shpërthyese.

Sipas ShSKUK-së, mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve.

Mirëpo, Policia e Kosovës ka demantuar këto raportime, duke thënë se mjetet e dyshuara janë materiale shkollore, duke mos elaboruar më tutje.

“Rreth orës 16:15, ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendgjarjes nga mjetet e dyshuara. Të njëjtat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe nuk paraqesin rrezik pasi që janë materiale shkollore”, ka thënë Agron Borovci për Gazeta Blic.