Policia e Kosovës ka konfirmuar se dyshohet për një mjet shpërthyes në klinikën e patologjisë, respektivisht institutin para klinik.
Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, thotë për Gazeta Blic se Policia ka evakuuar personelin.
“Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në klinikën e patologjisë, respektivisht institutin para klinik. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm”, thotë ai.
Sipas Borovcit, në vendngjarje kanë dalë edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ende po vazhdohet puna për pastrimin e plotë të perimetrit.
“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë.”, deklaron ai për Gazeta Blic.
Dyshohet për granata dore te një objekt në QKUK, ekipet e deminimit arrijnë në vendngjarje