Lajme

Gashi: Ka filluar numërimi prapa, po i afrohemi fundit të kësaj qeverie

01/15/2024 15:28
nga:G B

Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke përmendur seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet të enjten dhe komisionin hetimor parlamentar.

Gashi mes tjerash theksoi se ‘Lëvizja Vetëvendosje tradhtoi besimin të cilin ne ia dhamë dhe po e qet kuvendin në një situatë të palakmueshme.

“Si duket po fillon me pak vështirësi ajo që është karakterizuar me këtë qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe zotëri Kurtit, po fillojmë me seancë të jashtëzakonshme që kanë shkaktuar reagim të jashtëzakonshëm të qytetarëve”, ka thënë Gashi.

“Po ashtu në të njëjtën kohë kemi shqetësimin e njëjtë nga vullneti i Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar komisione hetimore për rezervat shtetëror”.

“Për të funksionalizuar dhe për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare, me mirëbesim të fillojë puna në komisonin hetimor parlamentar, Lëvizja Vetëvendosje tradhtoi besimin të cilin ne ia dhamë dhe po e qet kuvendin në një situatë të palakmueshme”.

Gashi potencoi se ka filluar numërimi prapa për qeverinë e Albin Kurtit.

“Është e papranueshme që të paaftësohet komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore dhe kjo na qet në një situatë të re, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur rrugën e vet, rrugën e sabotimit të institucioneve duke qenë në pushtet e cila ndodhë për herë të parë në histori parlamentar të Kosovës”.

“Është viti i fundit, maksimumi i mundshëm deri kur do të jetë në pushtet Kurti, tash një vit i plotë, por zgjedhjet do të duhet të shpallen deri në fund të shtatorit dhe të mbahen diku në fillim të janarit ose të shkurtit të vitit 2025. Ka filluar numërimi prapa pra po i afrohemi fundit të kësaj qeverie”, ka thënë Gashi.