Lajme

Netanyahu: Nuk do të lejojmë që të zhvendosurit të kthehen në Gazën veriore, pa përfunduar lufta

01/14/2024 08:05
nga:G C

Izraeli nuk do të lejojë që banorët e zhvendosur të Gazës veriore të kthehen derisa lufta është në vazhdim, tha të shtunën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Ai tha se vendimi përputhet me ligjin ndërkombëtar.

“Ju i nxirrni civilët nga një zonë lufte dhe nuk i ktheni ata kur është ende e rrezikshme”, tha kryeministri izraelit.

Pothuajse 90% e palestinezëve në Gaza janë zhvendosur me forcë për shkak të luftës së Izraelit kundër Hamasit, sipas agjencisë kryesore të Kombeve të Bashkuara që punon në Rrip.

Udhëheqësit palestinezë janë zotuar të mos lejojnë që lufta të largojë përgjithmonë banorët e Gazës nga shtëpitë e tyre në territor, pasi udhëheqësit rajonalë kanë paralajmëruar se konflikti mund të ketë këtë rezultat.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i bëri të qartë qeverisë izraelite gjatë një vizite të fundit se ajo duhet të lejojë palestinezët të kthehen në shtëpi “sapo të lejojnë kushtet”.