Sporti

“Newcastle shtëpia ime”, bardhezinjtë “blindojnë” një nga titullarët

01/08/2024 12:52
nga:E K

Rinovim te Newcastle. Klubi anglez ka njoftuar tifozët për zgjatjen e bashkëpunimit me Fabian Schar, i cili ka firmosur deri në verën e vitit 2025. Qendërmbrojtësi zviceran (78 ndeshje dhe 8 gola me kombëtaren helvete) është pjesë e bardhezinjve anglezë prej vitit 2018.

Kur u transferua nga galicianët e Deportivo La Corunas në “St. James Park” për shumën 4 milionë euro. “Kemi kënaqësinë të njoftojmë se Fabian Schar ka zgjatur kontratën e tij deri në verën e vitit 2025”, lexohet në komunikatën e Newcastle.

Schar është një titullar fiks tek ekipi i Eddie Howe. Gjatë këtij sezoni ka zhvilluar 28 ndeshje në total në të gjithë kompeticionet. Mbrojtësi ka realizuar edhe një gol, në suksesin fantastik 4-1 përballë PSG-së në Champions League.

“E kam thënë edhe herë të tjera, këtu ndihem si në shtëpinë time. Ndihem shumë rehat këtu. E dua qytetin dhe më pëlqen shumë të luaj për këtë klub dhe për tifozët tanë të mrekullueshëm”, u shpreh Schar.

I lumtur u shfaq edhe trajneri Howe: “Fabian është një futbollist i shkëlqyer. Që kur kam ardhur te Newcastle, ai ka qenë një model i qëndrueshmërisë vendimtar në sukseset tona.

Ai është një mbrojtës shumë i mirë, por është i talentuar dhe në lojën me top. Jemi të lumtur që rinovoi kontratën me ne”.