Sporti

Thirrja e Pochettinos: Broja, qeshu dhe beso më shumë te vetja!

01/07/2024 09:53
nga:E K

Chelsea fitoi 4-0 përballë Prestonit në FA Cup. Pjesa e parë u mbyll pa “krisma”, ndërkohë që Armando Broja hapi serinë e golave për skuadrën e Mauricio Pochettinos në fraksionin e dytë të takimit.

Trajneri argjentinas u ndal edhe te sulmuesi shqiptar, të cilin e fton të jetë më i qeshur dhe të ketë më shumë besim tek aftësitë e tij.

“Fitore shumë e mirë. Isha disi i zhgënjyer nga pjesa e parë, sepse e nisëm shumë keq. U kërkova djemve të luanim me më shumë energji. Pjesa e dytë ishte ndryshe. Dominuam, krijuam raste dhe e merituam fitoren.

Broja? Mendoj se do të ishte fantastike që t’i rritej vetëbesimi pas këtij goli. Armando duhet të buzëqeshë, duhet të jetë pozitiv dhe të ndryshojë gjuhën e trupit.

Sigurisht që performancat pozitive dhe shënimi i golave do të sjellin përmirësimin e tij. Ka rëndësi të madhe për Chelsean dhe për vetë Armando që të ketë më shumë vetëbesim”, u shpreh Pochettino.