Lajme

Kurti për maltretimin ndaj Sanduloviq: Serbia synon që ta mohojnë të kaluarën dhe të vërtetën e saj

01/05/2024 16:49
nga:Sh R

“Jam thellësisht i brengosur nga raportimet për sulmin dhe maltretimin e liderit opozitar serb Nikola Sanduloviq nga Shërbimi Sekret i Serbisë, një ditë pas kërkim faljes së tij publike për krimet e Serbisë në Kosovë” kështu ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Krerët e shtetit të Serbisë me çdo kusht mundohen që ta mohojnë atë që u kanë bërë shqiptarëve Sipas Kurtit.

“Kur krerë shtetërorë të Serbisë mohojnë publikisht krimet e masakrat ndaj shqiptarëve, siç kishte bërë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në vitin 2019 duke e cilësuar masakrën e Reçakut si fabrikim e pastaj edhe ish ministri i punëve të brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin në 2021 duke e quajtur atë falsifikim dhe gënjeshtër e madhe, ata synojnë që ta mohojnë të kaluarën dhe të vërtetën e tyre. Por e vërteta nuk i bindet as mohimit, as imponimit e as frikësimit”, ka theksuar Kurti.

“Ky brutalitet i aparatit shtetëror shpërfaqë edhe njëherë fytyrën e regjimit të Serbisë përballë qytetarëve të saj që kanë guximin të njohin e të pranojnë të vërtetën dhe të shprehin kërkim faljen për krimet gjatë luftës, gatishmërinë për paqe, e përkushtimin për pajtim”, ka shtuar Kurti.

Tutje, kryeministri i Kosovës, ka njoftuar prokuroria e Serbisë e ka akuzuar Sanduloviq pasi ky i fundit kërkojë falje për krimet e Serbisë ndaj familjes Jashari.

“Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, z. Sanduloviq, sot pas trajtimit në qendrën spitalore të emergjencës është arrestuar dhe po mbahet në burg. Prokurori publik në Nish paska ngritur aktakuzë kundër tij për shkaktimin e mosdurimit racor dhe etnik kundër serbëve!”, ka njoftuar Kurti.

Kryeministri ka përfunduar duke i uruar shërim dhe lirim Sanduloviq.

Postimi i plotë: