Lajme

Abdixhiku: Vrasja e Kolonel Zemajt, nuk është vetëm humbje për familjen, por për gjithë Kosovën

01/04/2024 15:47
nga:G B

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë dhe familjarë kanë bërë homazhe, në 21 vjetorin e vrasjes së Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enis Zemajt dhe Hasan Zemajt, kryetarit të Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan.

Abdixhiku tha se 21 vite më parë, Kosova u trondit me lajmin për vrasjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, ushtarakut dhe strategut të luftës Kolonel Tahir Zemajt, djalit Enisit dhe kushëririt Hasanit, i cili ishte kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan.

Koloneli Tahir Zemaj, tha më tej kreu i LDK-së, udhëhoqi beteja të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, kundër regjimit serb.

Ai tha se Zemaj ishte veprimtar i çështjes kombëtare, aktivist i orëve të para i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Ibrahim Rugova.

“Koloneli Zemaj bashkë me Enisin e Hasanin, u ekzekutuan nga një breshëri plumbash derisa po ktheheshin në shtëpi me veturë. Humbja e Kolonel Tahirit dhe shuarja e ëndrrave të Hasanit e Enisit nuk janë vetëm humbje të familjes Zemaj dhe LDK-së por edhe të gjithë Kosovës, prandaj dhe zbardhja e kësaj vrasje por edhe të gjitha vrasjet e veprimtarëve të tjerë është e domosdoshme, prandaj dhe dhimbja bëhet më e madhe”.

“E përhershme do të jetë jeta dhe vepra e Kolonel Tahirit, Enisit dhe Hasanit të cilët do të mbesin gjithmonë frymëzim i lirisë. Lavdi”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku në fjalën e tij.