Lajme

Sulmi i Xhavit Halitit ndaj Arben Gashit, nis seanca gjyqësore

01/04/2024 11:15
nga:Y I

Pas disa dështimesh për mungesë të të akuzuarit Xhavit Haliti, të enjten ka nisur seanca gjyqësore. Haliti akuzohet se ka sulmuar deputetin e LDK-së Arben Gashi në Kuvendin e Kosovës në maj të vitit 2018.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja e Shtetit Merita Shala-Muhaxhiri, më datën 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës Xhavit Haliti me dashje e ka sulmuar deputetin Arben Gashi. Aktakuza përshkruan se Haliti e kishte shtyrë me krah dhe bërryl – në gjoks Gashin, duke kryer kështu veprën penale sulmi.

Gjithnjë sipas dosjes, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend, i pandehuri tjetër Gani Dreshaj, me dashje e kishte kanosur deputetin Gashi.

Sipas përshkrimit, Dreshaj i kishte thënë Gashit “kom me ta prishë ftyrën”, duke i shkaktuar këtij të fundit frikë dhe ankth, duke kryer kështu veprën penale “Kanosje”.

Prokuroria përmes aktakuzës, me urdhër ndëshkimor, kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit. Pranimi i kundërshtimit të ushtruar nga Xhavit Haliti kishte shkaktuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor për të vendosur edhe një herë për rastin në fjalë vetëm për të, por jo edhe për Dreshajn. Ndjekja penale i ka kaluar prokurorit të Shtetit Besnik Jakupit./EO/