Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i është kundërpërgjigjur deklaratës së deputetit të VV’së ku tha, AAK-ja rrezikon mos ta kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme.
Lekaj në një prononcim për GazetaBlic thotë se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e gëzon pëlqyeshmërinë e qytetarëve të Kosovës.
“Se Ramush Haradinaj e gëzon pëlqyeshmërinë e qytetarëve të Kosovës, e dëshmon besimi që i kanë dhënë me votë që mbi dy dekada, ku AAK në krye me Ramush Haradinaj qëndron stoike në skenën politike”, tha Lekaj.
“Falë besimit të qytetarëve të Kosovës, AAK ka udhëhequr vendin 2 herë ku Kryetari Haradinaj ka qenë Kryeministër, si dhe në vazhdimësi kemi qenë pjesë përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës si Grup Parlamentar me minimumin 8 deputetë dhe maksimumin 15 deputetë, si dhe pjesë e Qeverive të caktuara me udhëheqje në Ministri të caktuara”, shtoi ai.
Lekaj thotë se Qeverisë Kurti po i pengon fuqia e figurës së Ramush Haradinajt.
“Pushtetit të tanishëm si dhe të tjerëve brenda dhe jashtë skenës politike, ju pengon fuqia e figurës së z.Haradinaj, pasi është personi i cili e ka përcjellur vendin dhe qytetarët në të gjitha etapat si para lufte, në luftë dhe pas lufte”, tha Lekaj.
“Është e vërtetë të qenurit në politikë, mund edhe të kritikohesh dhe të urrehesh, por gjithmonë është një pjesë e madhe e qytetarëve që peshon të mirat dhe gabimet, dhe në këtë pikë kryetari i AAK-së i ka dhënë shumë të mira vendit në të gjitha proceset e shtetbërjes”, shtoi ai për GazetaBlic.
Deputeti i VV’së: Ramush Haradinaj rrezikon mos ta kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme


