Lajme

Paralajmërimet për sulme të reja, Islami – Institucionet e sigurisë të jenë të përgatitura, mos të ‘zihen në befasi’

01/03/2024 12:20
nga:Y I

Pas kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, se vendi ka rrezik të sulmohet sërish ka paralajmëruar edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Maqedonci tha se Serbia ka dislokuar tri brigada ushtarake në jug të territorit të saj dhe përgjatë vijës kufitare me Kosovën ka vendosur 48 baza operacionale.

Në lidhje me këto paralajmërime ka folur për “Gazeta Blic” profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami.

Islami tha se nga Serbia mund të pritet gjithçka por theksoi se institucionet e sigurisë së Kosovës së bashku së bashku ndërkombëtare duhet të jenë të përgatitura që mos të zihen në befasi.

“Viti 2023 që lamë pas ishte një vit me ballafaqime përballë shtetit serb, kur dihet që nga ai asnjëherë nuk pritet që të reflektojë pozitivitet në raport me Kosovën.24 shtatori i vitit të kaluar nxori në pah fytyrën e vërtetë të Serbisë, ne e dinim se kush është shteti serb, një shtet hegjemonist një shtet të cilin ende e udhëheqin pasëardhësit dhe gjeneratat e Sllobodan Millosheviqit.Sa i përket paralajmërimeve nga ana e krerëve të shtetit të Kosovës që duhet të kemi  kujdes s’e mund të përsëriten ngjarjet e 24 shtatorit , absolutisht nga një shtet siç është Serbia, armik i përbetuar ndaj popullit shqiptar, Kosovës dhe viseve të tjera, gjithçka mund të pritet. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që institucionet e sigurisë së Kosovës së bashku me ato ndërkombëtare të jenë të përgatitura që mos të zihen në befasi” deklaroi Islami për “Gazeta Blic”.

Islami shprehu vlerësimin e lartë për punën e Policisë dhe strukturave të tjera të Policisë.

Ai tha se pavarësisht sfidave që mund të përballen do t’ia dalin me sukses përballë Serbisë.

“Edhe para 24 shtatorit, por sidomos kjo ngjarje, u pa një profesionalizëm dhe vullnet i pashoq i Policisë së Kosovës dhe strukturave të tjera të sigurisë. Ai ishte një dëshmi e mirë dhe një test për institucionet e sigurisë së Kosovës s’e si mbrohet sovraniteti, ligji dhe Kushtetutshmëria e Kosovës”

“Unë besoj se pavarësisht se çfarë sfidash mund të ketë, institucionet vendore dhe ato të sigurisë janë të gatshme të përballen me çfarëdo sfide nga ana e shtetit serb. Pas 24 shtatorit, KFOR-i e ka shtuar numrin e ushtarëve por në të njëjtën kohë edhe vigjilencën në raport me Serbinë rreth kufirit me Kosovën. Pra unë besoj që institucionet vendore së bashku me strukturat e sigurisë dhe me KFOR-in do të jenë në gjendje të përballen me çfarëdo sfide që vjen nga ana e shtetit serb” deklaroi Islami për “Gazeta Blic”.

Avni Islami, Profesor i Shkencave të Sigurisë!

Ministri i Mbrojtjes, Maqedonci,  zotohet se kanë marrë të gjitha masat që vendi të jetë i gatshëm të përballet me këto kërcënime, në koordinim me KFOR-in dhe partnerët tjerë.

“Në aspektin e mbrojtjes, në aspektin e përgatitjes së fushës së mbrojtjes mund të them lirisht se jemi shumë afër NATO-s, mirëpo dihet se vendimi për të qenë pjesë e NATO-s është vendim politik dhe që ndërlidhet edhe me hezitimin e disa vendeve mosnjohëse të Republikës së Kosovës, por vlerësoj se do të jemi pjesë e NATO-s kur ta zgjidhim këtë problemin e vendeve mosnjohëse. Serbia ka dislokuar në jug të territorit të saj tri nga katër brigada e saj ushtarake me qëllim që të mbaj në presion Republikën e Kosovës, duke i shtuar kësaj edhe 48 baza të përparme operacionale që janë vendosur në kufi me Kosovën. E gjithë kjo gjendja na lë të dimë që ka rrezik dhe gjithmonë vendi ynë është nën kërcënim”, u shpreh Maqedonci raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Maqedonci: Serbia ka dislokuar në jug të saj tri nga katër brigadat e tyre ushtarake