Lajme

Edi Rama:Ballkani i Hapur nuk është shuar

12/30/2023 17:47
nga:Sh R

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të shtunën se ai asnjëherë nuk e kishte deklaruar të mbyllur nisëm e Ballkanit të Hapur, duke theksuar se deklaratat e tij të mëparshme janë keqkuptuar.

Duke folur në një konferencë të fundvitit në Tiranë, Rama tha se “sot po e marr vesh se unë e paskam mbyllur Ballkanin e Hapur se nuk më rezulton që unë të kem bërë ndonjë mbyllje, madje unë e kam shpjeguar që Ballkani i Hapur nuk hapet dhe nuk mbyllet me një çelës nga një person apo nga njëra palë”.

Ai u pyet nga gazetarët për deklaratën e tij në korrik, kur kishte thënë se Ballkani i Hapur ishte një nismë për “ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe se e kishte kryer atë mision për të cilin lindi”.

Duke iu përgjigjur pyetjes, Rama tha: “Unë nuk kam thënë asnjëherë që kam mbyllur Ballkanin e Hapur se është dhe si shprehje qesharake. Unë kam thënë diçka krejt tjetër që është thënë në një kontekst të caktuar dhe shprehimisht kam thënë që e ka kryer misionin e vet në atë kontekst, por që nisma në vetvete është një nismë që është si nisma të tjera dhe që nuk hapet dhe nuk mbyllet nga unë.”