Sporti

Zekirija Ramadani: Lufta për titull është rihapur, përvoja në Arabinë Saudite ishte fantastike

01/01/2024 17:40
nga:E K

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani në një intervistë për GazetaBlic Sport ka komentuar mbi ecurinë e skuadrës në Superligën e Kosovës.

Ramadani i cili këtë vit kishte edhe një eksperiencë në Arabi mes të tjerash bëri edhe një krahasim në cilësi të futbollit mes ligës arabe dhe asaj të Kosovës duke thënë që cilësinë në Arabi e shtojnë lojtarët e huaj.

Ramadani vetëm pak javë më parë erdhi në krye të Dritës u shpreh i lumtur me arritjet e tij dhe implementin e strategjisë së lojës së tij nga lojtarët.

Patjetër që duhet të jemi të kënaqur. Kishim 4 ndeshje në kampionat prej të cilave fituam tre dhe humbëm një. Edhe në Kupën e Kosovës kaluam xhiron tutje. Angazhimi i futbollistëve ka qenë mjaft i mirë. Kemi bërë ndryshim në aspektin e lojës dhe këtë futbollistët e kanë aplikuar mjaft mirë. Jam i kënaqur, por nuk duhet të themi që me kaq mjafton pasi jam i bindur që brenda grupit ka cilësi për të arritur edhe më shumë. Duhet të nxjerrim maksimumin nga çdo futbollist dhe ky është synimi primar për mua”.

Diferenca është zvogëluar me Ballkani dhe këtu futen në luftë, themi se është rihapur sërish çështja e kampionit lufta do jetë e nxehtë ku këtu inkuadrohen skuadra si Llapi, Prishtina e Malisheva për kreun e tabelës. Do jetë shumë më interesante sesa të jetë vetëm një skuadër pa konkurrentë të tjerë për titull. Është një rihapje e vogël e kampionatit dhe shpresoj që të jetë një kampionat interesant deri në fund.

Ne kemi një grup të fortë nuk na duhen shumë lëvizje, secili që duhet të vij te Drita duhet të ketë cilësi minimumi sa lojtarët tanë aktual ose të bëjnë diferencën. Në afatin kalimtar sidomos ky i janarit është shumë i varfër, por që do mundohemi që nëse bëjmë 2-3 lëvizje të jenë adekuate, kështu që jemi duke punuar në këtë aspekt.

Padyshim që për mua ka qenë një eksperiencë mjaft e mirë [Ohod] duke pasur parasysh investime që po bëhen atje, këtë vit është shumë ndryshe nga e kaluara pasi është rritur numri i lojtarëve të huaj në ekipe nga 3 në 7 dhe gjithë këta futbollistë që shkojnë në Arabi kanë kualitet të lartë dhe çdo skuadër ka 7 lojtarë të huaj. Ishte një eksperiencë e paparë një eksperiencë që kam marrë shumë mësim.

Nëse i largojmë futbollistët e huaj dhe nëse fokusohemi vetëm te futbollistët vendas arab mendoj që nuk ka shumë cilësi dhe cilësia do ishte në anën tonë. Cilësia atje vie nga futbollistët e huaj. Është një ligë konkurruese mjaft e fortë me shumë skuadra që e favorizon ligën duke e bërë më interesante. Sa i përket tifozërisë ajo është e urtë e butë dhe gjatë asaj periudhe që isha atje nuk ka pasur asnjë incident. Ndonjëherë ndodhte që tifozëritë kundërshtare të ishin tejet pranë njëra tjetrës dhe kjo nuk shkaktonte incidente“, tha Ramadani për GazetaBlic Sport.