Sporti

“Dua ta luaj edhe këtë ndeshje”, rikthehet tensioni mes Onanës dhe Kamerunit

12/29/2023 16:38
nga:E K

Sërish tension mes portierit Andre Onana dhe kombëtares së Kamerunit. 27-vjeçari, i cili gjatë verës la Interin për t’u transferuar te Manchester United, u përjashtua nga ekipi kombëtar në Botërorin Katar 2022.

Një debat me trajnerin Rigobert Song ndikoi që ky i fundit ta largonte nga kampi stërvitor, por paqja mes palëve është rikthyer pas rreth një viti ku ka munguar komunikimi mes palëve.

Onana është ftuar për të qenë pjesë e Kamerunit në Kupën e Kombeve të Afrikës, kompeticion që do të zhvillohet në periudhën 13 janar – 11 shkurt 2024.

Gjithsesi, një tjetër çështje është krijuar nga “gardiani”, i cili kërkon të vonojë mbërritjen e tij në ekipin kombëtar. ESPN raporton se Onana dëshiron të luajë me United edhe takimin e FA Cup kundër Wigan (8 janar).

Për t’u bashkuar më pas menjëherë me shokët e skuadrës kombëtare. Kameruni ka vendosur të zhvillojë dy miqësore në datat 8 dhe 9 janar. Përkatësisht ndaj Guineas Ekuatoriale dhe Zambias.

Ndërkohë që “Luanët e Paepur” do të debutojnë në Kupën e Kombeve të Afrikës kundër Guineas, sfidë e programuar në datën 15 janar. Skuadra e Song është pjesë e grupit C, aty ku bëjnë pjesë edhe Senegali dhe Gambia.