Sporti

Rithehen tre titullarë tek Juventus para ndeshjes me Romën

12/28/2023 15:28
nga:Mergim Rreci

Juventus-Roma, sfida e së shtunës mbrëma, mund të konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme e javës së 18 në Serie A.

Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve respektivisht ndaj Frosinones dhe Napolit. Megjithatë, pozitat në klasifikim janë të kundërta me bardhezinjtë që synojnë të konkurrojnë Interin për titullin kampion, ndërsa nga ana tjetër, kryeqytetasit kanë si objektiv kualifikimin në Champions League.

Ndërkohë, nga kampi torinez ka pasur zhvillime pozitive sa i takon lojtarëve me probleme fizike. Trajneri Massimiliano Allegri ka rikuperuar tre titullarë të padiskutueshëm të skuadrës si Federico Chiesa, Dusan Vlahovic dhe Manuel Locatelli.

Treshja us tërvit me pjesën tjetër të grupit në seancën e fundit stërvitore dhe për më tepër nuk shfaqi asnjë problem, ndaj lojtarët pritet të jenë rregullisht në fushë për ndeshjen ndaj Romës.

Megjithatë, edhe për verdhekuqtë nuk kanë munguar lajmet e mira në ditët e fundit me trajnerin Jose Mourinho që do të ketë në dispozicion pas shumë kohësh Marash Kumbullën, ndërsa është rikuperuar edhe Paulo Dybala me dyshimin e vetëm që lidhet me faktin nëse argjentinasi do ta nisë apo jo nga minuta e parë ndeshjen kundër ish-skuadrës së tij.