Lajme

Sulmet e imamit ndaj Arton Turkaj, reagon Muharremi: Ky është rast për polici dhe prokurori

12/28/2023 13:28
nga:G B

Analisti politik Shenoll Muharremi, ka reaguar për sulmet që janë bërë në drejtim të gazetarit që vdiq dje, Arton Turkaj, nga imami Ahmed Kalaja.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ai e ka sulmuar fjalën e lirë, duke mos e kuptuar dhe pranuar sarkazmën.

Muharremi ka shtuar se ky është një rast për polici dhe prokurori, për shkak se sistemi kushtetues po tentohet të lëndohet në këtë rast.

Ai ka thënë se ky është një moment ku gjithashtu përfaqësuesit religjioz kredibil duhet të ngrisin zërin dhe të mbrojnë religjionin, pasi më së shumti po dëmtohen në këtë rast religjioni.

Postimi i tij i plotë:

Të sulmosh njeriun e vdekur

Kishte dalë një i ashtuquajtur imam dhe e kishte sulmuar njeriun e vdekur. Kjo nuk është kultura dhe tradita jonë. Në fakt, ai kishte sulmuar fjalën e lirë. Nuk kishte pasur forcë intelektuale me kuptuar dhe pranuar sakrazmën. Kjo nuk kalon. Mendimi kritik është thelbi i një shoqërie normale dhe parakusht për zhvillim. Rrjedhimisht, ata që sulmojnë fjalën dhe mendimin e lirë dhe kritik, janë armiqët tanë dhe të së ardhmes.

Fjala e lirë, mendimi i lirë… shprehja e lirë edhe përmes sakrazmës është dicka normale për shoqëritë mendjehapur dhe do të jetoj gjatë në vendin tonë. Religjionet nuk janë për të krijuar monopol të interpretimit. Sidomos nuk janë mjet për organizim shoqëror, janë private.

Sulmi i disa individëve të çuditshëm, që nuk besoj janë vendas, nuk po bëhet për të ndjerin. Ata po sulmojnë të gjallët. “Mos folin lirshëm se shif çka ju bëjmë”. Personalisht mendoj që ky është një rast për polici dhe prokurori, për shkak se sistemi kushtetues po tentohet të lëndohet në këtë rast. Kështu ne më herët kemi manipuluar dhe indoktrinuar disa të rinj që përfunduan në luftërat e Lindjes së Mesme dhe mbase pa ditur fare në përkrahje të terrorizmit.

Ky është një moment ku gjithashtu përfaqësuesit religjioz kredibil duhet të ngrisin zërin dhe të mbrojnë religjionin. Më së shumti po dëmtohen në këtë rast religjioni Islam. Po paraqitet i prapambetur, vulgar, i dhunshëm, dhe armiqësor. Ne tjerët po shohim se si disa persona janë indoktrinuar aq shumë saqë kanë humbur kontaktin me realitetin ku jetojmë. Ne gjithashtu duhet të krijojmë më shumë kushte dhe mundësi për ta në të ardhmën, sidomos duhet të përmirësohmë kualitetin e arsimit.