Lajme

Vuçiq: Nuk kam frikë nga opozita, ata trillojnë se babai im nuk është babai im

12/28/2023 10:34
nga:N K

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “nuk i frikësohet opozitës dhe protestave të saj dhe raporteve të sajuara të vëzhguesve të zgjedhjeve, të cilët pretendojnë se ka pasur parregullsi të mëdha”.

Ai ka thënë se politikani austriak Andreas Schieder, “i cili ka vjedhur nga partia e tij, po flet për parregullsitë dhe për grabitjen e pretenduar”.

“Ai pretendon se e ka parë vjedhjen. Dhe a e dini se çfarë ka parë ai në të vërtetë? Ai ka parë atë çfarë ju i keni prezantuar. Ai ka parë 496 fletëvotime që i kanë dorëzuar në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve dhe të gjitha janë të sakta”, ka thënë Vuçiqi, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Ai ka shtuar se gjithçka që është bërë dhe është bërë sipas marrëveshjes.

“Por ata nuk do të shpëtojnë me të. Nuk do t’i lëmë të vjedhin vullnetin e popullit. Vox populi, vox dei, ose zëri i popullit është zëri i Zotit”, ka thënë Vuçiq.

Ai është këmbëngulës se KRZ do të shpallë rezultatet përfundimtare.

“Gjatë janarit do të konstituojmë Kuvendin dhe kaq. Këtu nuk ka asgjë të diskutueshme, as ndonjë filozofi të madhe”, ka thënë Vuçiqi.

I pyetur për të komentuar kërcënimet që i ka dërguar njëri prej liderëve të koalicionit “Serbia kundër dhunës”, Zdravko Ponosh, Vuçiqi ka thënë se është mësuar dhe nuk ka frikë.

“Dëgjoj kërcënime çdo ditë. Trillime se babai im nuk është babai im, trillime për fëmijët e mi, nënën time. Dhe unë nuk kam frikë prej tyre. Të dielën, sapo pashë se çfarë po ndodh para Gjykatës së Vjetër, pra Kuvendit të Qytetit, erdha në ndërtesën e Kryesisë. Unë kurrë nuk jam fshehur. Unë nuk kam frikë prej tyre dhe ata nuk dinë çfarë të bëjnë me këtë”, mburret Vuçiqi.