Lajme

Reagon sërish KESCO: Vetëm 14 për qind të konsumatorëve kanë faturë 100 euro ose më tepër

12/27/2023 18:07
nga:G C

Derisa qytetarët po vazhdojnë të reagojnë lidhur me faturimin e rrymës, nga KESCO janë deklaruar sërish duke thënë se vetëm 14% e konsumatorëve kanë pranuar fatura 100 euro ose më tepër.

Në postimin e bërë në faqen zyrtare, KESCO thotë se 86% e konsumatorëve kanë pranuar fatura nën 100 euro.

Siç thonë, në bazë të analizave që ekspertët e kompanisë kanë bërë, në Kosovë konsumatorët ngrohen me energji elektrike, dhe kjo ngrohje ua merr mbi 70% të konsumit.

“400 mijë konsumatorëve deri me tani u janë lexuar njehsorët. 86% prej tyre kanë pranuar fatura nën 100€. Pra, nga numri total i leximeve, del që vetëm 14% e konsumatorëve kanë fatura 100€ ose më tepër. ? Edhe ato fatura që janë në shpenzim më të madh, bëhet fjalë për dy shërbime në një, pra për furnizim me energji elektrike dhe për ngrohje. Ngrohja është shpenzues i madh i energjisë elektrike dhe në bazë të analizave që ekspertët e kompanisë i kanë bërë, në Kosovë konsumatorët që ngrohen me energji elektrike, ngrohja ua merr mbi 70% të konsumit”, thuhet në njoftimin e bërë nga KESCO.