Faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor kanë qenë shumë të larta.
Reagime të shumta ka pasur derisa në rrjete sociale janë publikuar faturat nga qytetarë të shumtë dhe dallimin e çmimit nga muaji i kaluar.
Për këto fatura, KMDLNJ ka kërkuar hetim nga Prokuroria.
Ndërsa, nga KEDS kanë thënë se qytetarët po ngrohen me rrymë dhe se këtë vit nuk ka subvencionim nga Qeveria.
Lidhur me këtë, Sibel Halimi, anëtare e kryesisë së LDK-së, thotë se është e papranueshme kjo rritje, krahas çmimeve tjera.
“Është e papranueshme që qytetarët tanë pas shtrenjtimit të çdo produkti ushqimor, banimit, derivateve; tani të përballen edhe me shtrenjtim enorm të energjisë elektrike. Shtesa e njëhershme nuk ndihmon kur fatura e rrymës vjen çdo muaj me 14.5 për qind rritje, e cila u vendos në mars të këtij viti. Një tjetër rritje të këtillë e kishim edhe në shkurt të vitit 2022”, thotë ajo për Gazeta Blic.
Halimi thotë se qeveria që 3 vite i mban të bllokuara 1 miliard euro, që i shpërndan si lëmoshë dhe s’ka plan afatgjatë për energjetikë apo hapje të vendeve të punës.
“Pra kemi një qeveri që për gati tri vite i mban të bllokuara gati 1 miliard euro, të cilat i shpërndan kohë pas kohe në formë lëmoshe shtetërore të njëhershme, e cila shkon tërësisht në konsum, pa zgjidhur asnjë problem në planin afatgjatë. Nuk shkon as në hapje të vendeve të punës, as në projekte kapitale në energjetikë, efiçiencë e të ngjashme”, vlerëson ajo.
Anëtarja e kryesisë së LDK-së bën krahasimin e Kosovës me vendet e BE-së dhe tregon se sa është çmimi i papërballueshëm në vend.
“Përderisa çmimi i rrymës në Kosovë arrin deri në 14.45 cent për kËh, mesatarja e Bashkimit Evropian është 28.9 cent për kËh, ndërsa në Zvicër është jo më shumë se 32.12 cent për kËh. Kur merret parasysh dallimi në të ardhura mujore mes Kosovës dhe këtyre vendeve, kuptohet për çfarë niveli të papërballueshmërisë po flasim”, thekson Halimi për Gazeta Blic.
Sipas saj, qeveria në këto 3 vjet qeverisje s’ka bërë asgjë për energjetikën, vetëm ankesa, arsyetime dhe propagandë e sondazhe të porositura.
“Në anën tjetër kemi një qeveri që në 33 muaj nuk ka bërë asnjë hap serioz në energjetikë, asnjë projekt madhor në një central të ri, apo investime domethënëse në energji të ripërtritshme. Në 1010 ditë mandat kemi parë vetëm ankesa, arsyetime, propagandë dhe së fundmi edhe sondazhe të porositura. Asnjë nga këto nuk përmirëson jetën e qytetarëve tanë”, deklaron Sibel Halimi./Gazeta Blic/


