Lajme

VV e gatshme edhe për zgjedhje të parakohshme: Do të tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit

12/27/2023 11:49
nga:N K

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje të parakohshme. Ai në një konferencë për medie bashkë me shefen e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, tha se në zgjedhje mund të shkohet vetëm nëse opozita inicion një mocion mosbesimi.

Edhe pse Rrustemi thotë se VV-ja do të vazhdojë mandatin e saj deri në fund. Ai u shpreh i bindur se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme do të dalë me rezultat më të mirë sesa më 14 shkurt kur fitoi 51%.

“Natyrisht që VV është e gatshme kurdo që krijohen rrethanat për zgjedhjet e parakohshme, sepse këto e kanë një dimension të rrethanave se kur ato krijohen. Kushtetuta e parasheh këto situata. Unë nuk shoh indikacione për një gjë të tillë, nëse ka ndonjë nismë nga opozita për mocion mosbesimi për Qeverinë dhe ka sukses, padyshim që Vetëvendosja do të ishte edhe e gatshme edhe e përgatitur për të marrë pjesë në zgjedhje. Por, ne vazhdojmë me përkushtim përmbushjen e programit e qeverisës me mandat të plotë, por nëse eventualisht zgjedhjet e parakohshme paraqiten padyshim që ne me përkushtim do t’iu dedikohemi zgjedhjeve të parakohshme”.

“Edhe nga vlerësimi i opinionit, por edhe nga puna që po bëjmë është po ashtu e dukshme që rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të tejkalojë edhe rezultatin e 14 shkurtit të 2021-ës marrë parasysh faktin që mërgata do të ketë lehtësi të votimit si kurrë më parë nëpërmjet votimit nëpër ambasada e konsullata”.

Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, sa i përket vendimi të djeshme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për paga, tha se e respektojnë, por që ende nuk e kanë parë të plotë.

“Gjykata Kushtetuese ka jep mendimin e vetë. Në esencë është prekur objektivi që është synuar me ligjin për paga. E respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por ende nuk e kemi parë të plotë aktvendimin”, tha ajo.