Lajme

Aksidenti në Prizren kërkohet paraburgim për vozitësin e ashpërsim i ligjit

12/22/2023 20:03
nga:N K

Listës së aksidenteve të shumta në trafik iu shtua edhe një i tillë i rëndë në Prizren.

Një qytetar u godit në vendkalimin e këmbësorëve mbrëmjen e së enjtes, i cili është nipi i publikuesit të këtyre pamjeve, deputetit Enis Kervan.

Gjersa thotë se momentin e aksidentit e bëri publik për të parandaluar raste të tjera, ai Kervan tregon se gjendja e nipit është përmirësuar.

“Falë Zotit po jeton familjari ynë por nuk dmth që pasi nuk ka vdek nuk duhet tash të zbatohet ligji. Dënimi duhet të jetë në maksimum, maksimal ashtu që të mos përsëritet. Ai momentalisht është i vetëdijshëm, flet por ka disa lëndime në tru”, tha ai.

E Kervan është i mendimit se ligjet duhen ashpërusar.

“Natyrisht që ne deri në fund do t’i shkojmë, ndoshta jo që jam deputet e më ndodhi. Nesër pasnesër do t’i ndodhë edhe dikujt tjetër por në qoftëse nuk shkojmë deri në fund dhe nuk kërkojmë drejtësi, këto raste do përsëriten”, vijoi ai.

Për ngasësin e veturës, tanimë është kërkuar paraburgim.

“Lidhur me rastin ne fjalë, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit kundër Xh.Zh. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’ nga neni 370 , sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, tha zedhenesha e Prokurorise ne Prizren, Fitore Mehmeti.

E, masat e shtuara nga Policia në komunikacion, njohësi i kësaj fushe Faton Bunjaku, pret të kenë efekt.

“Policia kontrollet i ka bërë gjithmonë me radar jostatik, as nuk kanë qenë kamera që kanë vëzgju komunikacionin mirëpome vendosjen e radarëve statikë dhe kamerave normal që do bëhet ushtrimi më i madh i kontrollit në rrjeti rrugor por edhe do të zvogëlohet numri i aksidenteve”, tha ai.

Kujtojmë se para disa ditësh, si pasojë e një aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” mbetën të vdekur tre persona.