Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se të gjitha komunat kanë arritur t’i shpenzojnë mbi 66 për qind të mjeteve për investime kapitale.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ka komuna që i kanë shpenzuar mbi 90 për qind të mjeteve, pavarësisht problemeve dhe mos bashkëpunimit me institucionet qendrore
“Përkundër sfidave të shkaktuara nga institucionet e nivelit qendror komunat e Republikës së Kosovës, anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës, deri më ditën e sotme kanë arritur t’i shpenzojnë mbi 66% të mjeteve për investime kapitale. Kjo është e arritur, marrë parasysh pengesat që shkaktohen nga institucionet e nivelit qendror dhe ligji për prokurimin publik. Kemi komuna që kanë harxhuar mbi 90%, dhe shumica absolute e komunave kanë shpenzuar mbi 60% të këtyre mjeteve. Komunat janë ballafaquar me shumë probleme gjatë këtij viti si pasojë e mos-bashkëpunimit të mirë me institucionet qendrore siç është problemi i funksionimit efikas i Organit Shqyrtues i Prokurimit publik (mos kthimi i përgjigjeve me kohë), bartja shumë e vonuar e mjeteve nga niveli qendror te ai lokal (kemi raste që mjetet financiare janë bartur në muajt korrik dhe gusht të këtij viti nga niveli qendror te komunat) si dhe burokracia e tepruar që buron nga Ligji mbi Prokurimin publik e që komunat kanë kërkuar qe disa vite dhe kërkojnë edhe tani të amandamentohet por që niveli qendror nuk duket që e ka prioritet amandamentimin e këtij ligji. Shumica absolute e komunave e kanë plotësuar kushtin për Grantin e performancës”, thotë ai.
Ibrahimi thekson se niveli komunal qëndron më mirë se ai qendror, derisa tregon se janë tri komuna që kanë 98 e 99 për qind të investimeve kapitale.
“Performanca e komunave sa i përket shpenzimeve të mjeteve financiare është shumë më e mirë se sa e nivelit qendror. Nuk e besoj që institucionet e nivelit qendror deri më sot kanë arritur t’i shpenzojnë 50% të këtyre mjeteve të dedikuara për investime kapitale. Pra, komunat po shihet që kanë kapacitete shumë më të mira sa i përket planifikimit dhe shpenzimit të mjeteve financiere që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Komuna e Malishevës dhe Obiliqit kanë nga 99% të shpenzimeve kurse Ferizaj dhe Rahoveci nga 98%”, deklaron Sazan Ibrahimi./Gazeta Blic/


