Sporti

Milan e do për sulmin, nigeriani: Klub madhështor, e pranojnë të gjithë

12/20/2023 19:22
nga:Mergim Rreci

Afrimi i një mbrojtësi është jetik, por Milani po tenton edhe një sulmues në merkaton e janarit. Akor Adams është një nga emrat që pëlqehen nga drejtuesit e kuqezinjve, pa harruar Guirassy (Stuttgart) dhe David (Lille).

Adams u transferua gjatë verës për 4.5 mln euro nga norvegjezët e Lillestromit te Montpellier. Impakti i 23-vjeçarit nigerian në Ligue 1 ka qenë shumë i mirë, teksa ka shënuar 7 gola në 16 takime.

Përveç Milanit e do edhe West Hami në Premier League. Adams ka folur rreth zërave të merkatos në një prononcim për Milannews.it, aty ku ndër të tjera tha:

“Jemi në mes të sezonit dhe mendoj vetëm për Montpellier, por di të them që Premier League është ëndrra e çdo fëmije.

A do bashkohem me Chukwuezen te Milanit? Është ende herët për të folur, por Chuk është një futbollist shumë i mirë dhe të gjithë e dinë se Milani është një nga klubet më të mira në botë.

Tani për tani nuk mund të them asgjë, por të gjithë tifozët e futbollit e dinë se Milani është një klub madhështor. Jam i vetëdijshëm për këtë, por deri më sot nuk kam qenë kurrë në Itali”, deklaroi sulmuesi afrikan.