Familja e Liridona Ademajt, gruas që u vra më 29 nëntor në Prishtinë në një rast të dyshuar grabitjeje të orkestruar, kanë kërkuar një takim urgjent me prokurorinë për të marrë informacion mbi hetimet dhe zhvillimet lidhur me rastin.
Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës, ka theksuar se ende nuk kanë pasur asnjë kontakt zyrtar nga prokuroria dhe se nuk dinë kush është prokurori i përgjegjshëm për rastin.
Në njoftimin e postuar në Facebook, familja sipas tij, e vlerëson punën e deritanishme të policisë dhe prokurorisë, por shpreh shqetësimin e tyre për mungesën e komunikimit zyrtar.
Ata theksojnë se nuk janë informuar zyrtarisht se kush është prokurori i rastit por se kanë marrë informacione vetëm nga mediat.
“Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj. Ne jemi thellësisht falenderues për punën e bërë deri më tani nga policia dhe prokuroria. Mirëpo, jemi të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar fare me neve. Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media. Ne duam të sqarojmë që nuk kërkojmë qasje në informacione konfidenciale, mirëpo kërkojmë që si familjarë të jemi të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht”, ka shkruar Leonard Ademaj në Facebook.


