Lajme

Presidenca: Haradinaj nuk priti, takimi me Osmanin nuk u mbajt për shkaqe protokollare

12/19/2023 16:24
nga:G B

Zyra e Presidencës ka reaguar pas mos mbajtjes së takimit të Vjosa Osmanit me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë, thotë për Gazeta Blic se takimi nuk u realizua për shkaqe protokollare, derisa Haradinaj nuk deshi të priste derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij.

“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”, thotë ai.

Kupina shton se Osmani e ka lënë të hapur mundësinë për takim në ditët e ardhshme.

“Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”, thotë Bekim Kupina për Gazeta Blic.

Haradinaj shkoi deri në Presidencë por nuk u takua me Osmanin: Presidentja nuk respektoi orarin që e kishte caktuar vetë