Sporti

La Liga bën revolucion, nga janari do të publikohen bisedat mes referit dhe asistentëve të VAR-it

12/19/2023 14:55
nga:Lorik J

Federata Spanjolle e Futbollit dhe La Liga kanë arritur marrëveshje që, duke filluar nga muaji i parë i vitit 2024, të publikohen pamjet dhe bisedat me zë mes referëve në fushën e blertë dhe të asistentëve të VAR-it gjatë ndeshjeve në kohë reale, kur ka rishikime të aksioneve dhe të rasteve diskutabile, njoftojnë mediat spanjolle.

Ky revolucion që pritet ta bëjë futbolli spanjoll do të “eksperimentohet” në ndeshjet e Superkupës së Spanjës më 10 e 11 janar, ndërsa më pas pritet të aplikohet edhe në ndeshjet e futbollit elitar spanjoll.

Ideja është që referimi spanjoll të jetë sa më transparent me publikun dhe me audiencën, në mënyrë që të ketë më shumë qartësi rreth vendimeve që do të merren me ndihmë të sistemit VAR, i cili konsiderohet si revolucionar i shekullit 21.

Gjithçka do të zyrtarizohet në ditët në vazhdim, ndërsa tifozëve do t’ju jepen edhe detaje se si do të funksionojnë gjërat me risinë që do ta sjellë La Liga.