Punëtorët e HIB Petrol kanë vendosur që këtë vit të mbledhin dhe shpërndajnë një fond për personat me autizëm si dhuratë për festat e fundvitit. Disa prej tyre kanë takuar drejtues të shoqatës “Autizmi”, ku edhe u kanë dhuruar një çek me të hollat e mbledhura nga vet punëtorët. “Së bashku shkëlqejmë! Dhuratë në përkrahje të autizmit”, ka qenë motoja e këtij aktiviteti që ka ardhur edhe si thirrje që sa më shumë të mbështet ky komunitet.
Një gjest i tillë human ka vënë në pah edhe përkushtimin e punëtorëve të HIB-it por edhe angazhimin e tyre për të përmirësuar jetën e këtij komuniteti. Në anën tjetër përkrahja edhe e kompanisë duke dërguar ëmbëlsira për fëmijët, tregon përkushtimin e korporatës HIB Petrol për të fuqizuar dhe përforcuar vetiniciativat e punëtorëve.
Sipas punëtorëve të HiB-it, përkrahje të tilla sado të vogla, janë shumë të rëndësishme pasi që ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik për autizmin dhe në krijimin e një mjedisi më të këndshëm, pranues për personat me autizëm. Ata janë shprehur të kënaqur që kanë arritur sadopak të informohen për mënyrat sesi funksionon shoqata dhe cilat janë pikat në të cilën do të mund të ndihmojnë edhe në të ardhmen.
Vedat Hajdari, nga HIB Petrol ka thënë se besojnë që ky nuk do të jetë donacioni i fundit dhe i vetmi nga HIB Petrol.
“Faleminderit shumë për informatat që i keni ndarë me gjatë ditës së sotme, do të jenë udhëzime të vlefshme se si do të mund të veprojmë edhe në të ardhmen në mënyrë që të ndihmojmë sa më shumë”, ka thënë ai gjersa ka pranuar në emër të punëtorëve një mirënjohje të ndarë nga shoqata “Autizmi” si shenjë falënderimi.
Në anën tjetër drejtoresha e shoqatës “Autizmi” Hatixhe Hoxha, ka thënë se është veçanërisht e rëndësishme që një ndihmë e tillë vjen nga vet punëtorët, pjesa më e madhe e të cilëve janë edhe vet prindër.
“Arsyeja pse jemi takuar sot ka qenë që edhe t’i infomojmë në mënyrë që ata të cilët kanë qenë pjesë e donacionit të bëhen edhe avokues dhe mbështetës të personave me autizëm. Njëkohësisht shpresojmë që iniciativa e tyre do të jetë nxitëse edhe për kompanitë e tjera që në çfarëdo mënyrë të kontribuojnë”, ka thënë ajo.
Vizat u përmbyll me një shëtitje nëpër hapësira e qendrës “Autizmi”, duke parë nga afër punën që bëhet aty dhe duke shkëmbyer ide për iniciativat e ardhshme në të cilat mbështetës mund të jetë edhe HIB Petrol.






