Analisti politik, Fidan Ukaj, në një prononcim për GazetaBlic ka thënë se fitorja e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, është një lajm i keq për rrugën evropiane dhe sigurinë rajonale.
“Fitorja e partisë se Vuçiqit në Serbi është lajm i keq jo vetëm për dialogun Kosovë – Serbi por edhe për rrugën evropiane të rajonit dhe sigurinë rajonale, e po ashtu edhe për qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës“, ka thënë analisti.
Ai tutje ka thënë se marrëveshjet nga dialogu nuk janë plotësuar.
“Procesi dialogues është prolonguar dhe marrëveshjet nuk janë zbatuar, siguria rajonale është cenuar dhe vazhdon të jetë e rrezikuar pikërisht nga politikat e Vuçiqit, e po ashtu nën sundimin e Vuçiqit shqiptarët e Luginës janë ç’regjistruar e adresat e tyre janë pasivizuar”, ka thënë tutje Ukaj.
Analisti ka ritheksuar se fitorja e Vuçiqit e rrezikon sigurinë rajonale.
“Prandaj fitorja e Vuçiqit e rrezikon sigurinë rajonale e ndalon rrugën evropiane të rajonit e vazhdon politikën e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë”, ka thënë analisti Fidan Ukaj.
Për këtë temë ka folur edhe analisti politik, Arbnor Sadiku, ku ka thënë se Vuçiq nuk do të shpallte zgjedhje të parakohshme nëse nuk do të ishte i sigurt ne fitore.
“Nuk mendoj se do t’i kishte shpallur zgjedhjet e parakohshme Vuçiqi dhe PPS-ja, nëse nuk do ta priste fitoren e sigurtë. Para së gjithash, mund të themi se edhe veten, edhe partinë i ka lëvizur kah e djathta. Ka “gëlltitur” forca të shumta të krahut të djathtë. E ka shfrytëzuar Qeverinë si mbulesë për ta forcuar zërin e tij. Ka krijuar një sistem zgjedhor të lirë, por jo të drejtë – gjë që e favorizon atë, po ashtu ai nuk pritet te ndryshojë diçka në raport me Kosovën pasi që ka pas së fundmi mbeshtetje të madhe nga aksi Moskë-Pekin, befasi ishte humbja nga opozita e kryqytetit të Serbisë Beogradit, ku kishte udhëhequr atë deri tani”, ka thënë ai.
Analisti tutje ka potencuar se këto zgjedhje janë të padrejta.
“Këto nuk janë zgjedhjet të lira, por të padrejta në Serbi. Gjithashtu, mund të konkludojmë se zgjedhjet parlametare dhe ato lokale të mbajtura, dhjetor 2023 në Serbi, janë zhvilluar nën kontroll të ashpër mediatik nga partia në pushtet, duke shfrytëzuar burime shtetërore, duke transportuar njerëz, të cilët shpresoj se kanë pasur të drejtë vote, me autobusë nga Bosnje dhe Hercegovina. Po ashtu, ka pasur manipulime me votuesit nga Kosova, veçanërisht në zgjedhjet lokale për kryeqytetin serb Beogradin”, ka thënë Arbnor Sadiku. /GazetaBlic/


