Sporti

Klopp: Sa më shumë i kritikoni aq më të fortë bëhen!

12/15/2023 19:39
nga:E K

Java e 17 e Premier League, rezervon një nga përballjet më spektakolare të kampionatit elitar anglez. Fjala është për sfidën e Anfield Road mes Liverpool dhe Manchester United.

Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje nga pozita të ndryshe, të kuqtë kryesojnë Premier League ndërsa nga ana tjetër, Djajtë e Kuq vuajnë rezultatet negative dhe janë aktualisht në vendin e gjashtë, 10 pikë poshtë Liverpoolit. Megjithatë, trajneri Jurgen Klopp kërkon përqëndrim maksimal nga të tijtë duke kërkuar një fitore për t’ia dedikuar tifozëve.

“Luajmë në shtëpi dhe është një ndeshje për njerëzit tanë, e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo përballje për tifozët. Duhet ta nisim ndeshjen në mënyrën e duhur, kemi ende shumë mundësi për t’u përmirësuar. Nuk më pëlqen që e kritikojnë United, sa më shumë fjalë kundër tyre, aq më të fortë bëhen ata.

Ndodh gjithmonë sepse në këtë formë ata motivohen. Jemi në fushën tonë, do të krijohet një atmosferë e bukur dhe duhet ta shfrytëzojmë. Nuk e kam ndjekur shumë United dhe nuk e di me saktësi se çfarë problemesh kanë, por Ten Hag ishte trajneri më i mirë në muajin e shkuar. Ishin më të fortët muajin e kaluar dhe nuk mund të ndryshojnë kaq shpejt”, u shpreh Klopp.