Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në një intervistë për Gazeta Blic ka folur për ikjen e të rinjve nga Kosova.
Ajo ka thënë se Kosova ka humbur shumë punëtorë të përgatitur profesionalisht.
“Tanimë ikja masive ka ndodhur faktikisht këto tri vitet e fundit. Kemi masivisht ikje të qytetarëve, dhe unë e kam thënë në disa raste që fatëkeqësia më e madhe është që neve na kanë shkuar njerëzit e përgatitiur dhe kuadrot, kanë shkuar policë, kanë shkuar oficerë, avokatë, ekonomistë, gazetarë, mjekë, infermierë dhe kështu me rradhë, sot i ke gjithandej nëpër botë”, ka thënë Musliu.
Tutje ka thënë se kjo qeveri ka dështuar në të gjitha aspektet.
“Kjo qeveri ka dështuar në çdo gjë në të gjitha dikasteret, në të gjitha institucionet ka dështuar”, ka thënë ajo.
Musliu ka komentuar edhe dënimin e Salih Mustafa, ku u dënua me 22 vite burgë nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Për mua është i papranueshëm, siç është e papranueshme Gjykata Speciale e Kosovës. Unë e kam kundërshtuar këtë gjykatë që në gjenezë dhe vazhdoj të jem kundër. Konsideroj që vendimi ndaj Calit është një vendim i padrejtë, është një vendim absurdë dhe mendoj që Gjykata Speciale e ka humbur arsyen se për çfarë është themeluar”, ka thënë ajo.
Gjithashtu ka folur edhe për lirimin e Nasim Haradinaj, ku thotë se është një vendim i pritur.
“Lirimi i Nasim Haradinajt është jashtëzakonisht i pritur edhe pse i vonuar, sepse padrejtësisht është mbajtur në Hagë, më vjen keq që zotëri Haradinaj kur është kthyer nuk e ka gjetur vëllai e tij Agronin, i cili humbi jetën para një viti dhe vendimi për Calin e ka zbehur pak dhe gëzimin për Nasim Haradinaj”, ka thënë Musliu për Gazeta Blic.


