Parashikimet e profesorit të njohur turk të sizmologjisë, Naci Gorur, janë makth , pasi vlerëson se tërmeti i madh të cilit i tremben të gjithë, ka shumë gjasa të ndodhë në Stamboll dhe se intensiteti i tij mund të arrijë deri në 9 gradë Shkallë të Rihterit.
Profesor Naci Gorur, sipas CNN Turk , i tha gazetës Sozcu se ka frikë nga një tërmet i madh edhe në Stamboll.
Nëse parashikimet me magnitudë 9 bëhen të vërteta, tërmeti do të jetë shkatërrues dhe do të prekë edhe strukturat e ndërtuara mirë.
“Mendoni një rrip prej 10 kilometrash të parë duke filluar nga bregu i detit Marmara. Aty do të ketë më shumë probleme, sepse intensiteti i tërmetit pritet të arrijë në 9 Rihter nga Gjiri i Bririt deri në Silivria”, tha ai.
Turqia pas “katastrofës së shekullit” siç u quajtën tërmetet vdekjeprurëse të 6 shkurtit në Kahramanmaras, tashmë e ka kthyer vëmendjen nga Stambolli dhe stoku i tij ndërtimor , për të pasur një plan parandalimi dhe për të përshpejtuar transformimin urban të qytetit.
Pak ditë më parë një tërmet me magnitudë 5.1 ka ndodhur në brigjet e Mudania të Turqisë, me lëkundje të ndjera deri në Stamboll.
Sipas profesorit të sizmologjisë do të preken kryesisht zonat në anën evropiane të Turqisë veçanërisht ato pranë detit, pasi struktura gjeologjike është më e re, krahasuar me atë aziatike, e cila është e vjetër dhe përbëhet nga shkëmbinj më të fortë.
Kjo ndikon në stokun e ndërtesave dhe rezistencën sizmike në tërmete.
/Faxweb/


