Lajme

“Kurti do të mbahet mend për rritje të urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve”

12/13/2023 18:52
nga:Genita C

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të mbahet mend për rritje të urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve.

Madje, Kuçi vlerësoi që tensionet e vazhdueshme në veri, Kurti i ka shfrytëzuar për poena të vet politik.

“Në momentin që ka një mllef të akumuluar mes shqiptarëve e serbëve për shkak se e kemi një status quo në dialog me ta, kur ky vend e ka këtë mllef, Kurti e merr dhe e përdor për poena të vet politikë, e që është shfrytëzuar për të bërë tensione. Krejt çka ka bërë Kurti, e që do të mbahet në mend për këtë mandat, është rritja e urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve. Po ashtu, edhe një përçarje e madhe e shoqërisë, polarizim kush është me Kurtin dhe kush është me Serbinë”, deklaroi Kuçi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ndërsa, sa i përket vendimit të Qeverisë për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, për muajin dhjetor, Kuçi i quajti “lëmosha” të Kurtit.

“Kurti prej se ka marrë pushtetin, njihet për lëmosha të kohë pas kohshme që u jep kategorive të ndryshme të kësaj shoqërie. Pensionistët në Kosovë, kanë nevojë për rregullim të sistemit të pensioneve, nuk kanë nevojë për lëmoshë”, potencoi tutje Kuçi.

Më tej, zëdhënësja e PSD-së, tha se problemi kryesor i Qeverisë aktuale, është mos shpenzimi i buxhetit që e ka.

“Edhe aty ku mundet t’i ngritë pagat, nuk e bën për shkak të frikës që do të ketë kërkesa edhe nga sektorë të tjerë”, theksoi ajo.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës i ka ndarë nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këto kategori.