Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se deklarata e zv.kryeministrit Besnik Bislimi për Asociacionin dëshmon shumë gjëra.
Arifi në një prononcim për GazetaBlic theksoi se kjo është manipulim për të ardhë në pushtete, dhe sipas tij, qasje tejet naive.
“Një deklaratë e tillë e zv.kryeministrit dëshmon disa gjëra. E para është kanë manipuluar qysh nga fillimi, edhe para ardhjes e sidomos pas ardhjes në pushtet, Zajednica ka vdekë e tash u ringjallë”, tha Arifi.
“E dyta është se po vrehet që ka naivitet të madh në qasjen se çka është dialogu dhe e treta është se e kanë kuptuar se çfarë kanë bërë e s’po dinë më si të dalin nga kjo situatë”, shtoi ai.
Me këtë deklaratë se Qeveria s’ka garantuar se Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive, Arifi thotë po tentojnë mashtrimin e qytetarëve.
Por, sipas tij Qeveria nuk do të mund të ikë nga përgjegjësia që e ka.
“Kjo dëshmon një dëshirë për të ikur nga përgjegjësia, që nuk jemi vetëm ne fajtor. Tash e kanë kuptuar se çka kanë nënshkruar e për çka kanë negociuar. Po tregohet një padituri e një mashtrim që i kanë bërë publikut kosovar”, tha Arifi.
“Gjithsesi, qytetari i Kosovës është ai që e vlerëson punën e secilit prandaj kjo deklaratë nuk do të thotë që Qeveria Kurti do të shpëtoj nga përgjegjësia që e ka”, shtoi ai.
Kujtojmë se, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese vendos nëse draft-statuti i Asociacionit ka kompetenca ekzekutive apo jo. Sipas tij, Qeveria nuk ka garantuar që në përmbajtjen e draft-statutit të asociacionit nuk ka shkelje kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese e vendos nëse draft-statuti i asociacionit parasheh kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe. Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese. Ne kemi thënë se ky është draft që na është sjellë nga ndërkombëtarët dhe nuk është përpiluar nga ne, ndërkombëtarët kanë thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ne nuk jemi Gjykatë Kushtetuese, rrjedhimisht ata e kanë për detyrë me tregua ka apo nuk ka. Në qoftë se ka ata duhet të thonë kjo duhet të ndryshohet. Është mirë që opozita ka vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për draftin, për këtë është edhe roli i opozitës. Nuk ka zbatim të marrëveshjes pa nënshkrim nga pala serbe” ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi.


