Sporti

700 ndeshje, Neuer: Jam në formë, nuk e prisja që gjërat të shkonin aq mirë pas dëmtimit

12/13/2023 12:36
nga:Mergim Rreci

700 ndeshje si profesionist në karrierë regjistroi Manuel Neuer në “Old Trafford” përballë Manchester United. Arritje të cilën portieri i Bayern Munchen e festoi me fitoren 0-1 në Champions League. Pas ndeshjes, kapiteni u shpreh se nuk ishte në dijeni të një rekordi të tillë.

“Ishim shumë të zemëruar me paraqitjen tonë në Frankfurt kundër Eintrachtit (Bayerni humbi 5-1), por reaguam mirë. Trajneri është i kënaqur, ai na tha se ndihej krenar për ne, pasi dhamë gjithçka në fushë.

Ne kemi një skuadër që mund të garojë për fitimin e titullit, por duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje”, deklaroi 37-vjeçari i kampionëve të Gjermanisë, i cili vijoi rreth rekordit:

“Nuk e dija se ishte ndeshja e 700-të. Jam në formë, nuk e prisja që gjërat të shkonin aq mirë pas dëmtimit të gjatë. U jam shumë mirënjohës mjekëve”, theksoi “gardiani”, prej vitesh një prej më të mirëve në rolin e tij.

Neuer është pjesë e Bayernit prej verës së vitit 2011, kur u transferua nga Schalke 04 për 30 mln euro. Gjatë këtyre viteve, ai ka fituar 28 trofe me klubin më të madh në Gjermani.