Sporti

Chelsea përfitoi nga mungesa e një limiti për transferimet e bujshme, Premier League vendos një kufizim

12/13/2023 11:56
nga:Mergim Rreci

Klubet e Premier League kanë votuar për vendosjen e një kufizimi të ri në transferimet e lojtarëve.

Me 15 nga 20 vota pro, klubet angleze vendosën që shuma e plotë e kompensimit për një lojtar duhet të paguhet brenda pesë viteve. Deri më tani, nuk kishte kufi, përcjell GazetaBlic Sport.

Interesant është fakti se ndër 15 klubet që votuan për vendosjen e këtij limiti ishte edhe Chelsea, e cila përfitoi më shumë nga mungesa e një limiti. Kështu Chelsea solli Enzo Fernandez nga Benfica për 121 milionë euro dhe Mihajlo Mudrik nga Shakhtar për 70 milionë në janar të këtij viti.

Dyshja kanë nënshkruar kontrata deri në verën e vitit 2031 dhe Chelsea, të paktën në letër, ka zgjatur koston e transferimeve të tyre gjatë këtyre tetë viteve e gjysmë për të përmbushur rregulloret financiare. Tani kjo nuk do të jetë më e mundur.

Në fillim të këtij viti, UEFA prezantoi kufizimin e lartpërmendur pesëvjeçar, dhe tani Premier League ka votuar gjithashtu për të sjellë rregulloret e saj në përputhje me ato të UEFA-s. Duhet thënë se ende nuk ka një kufizim se sa mund të zgjasin kontratat dhe se ky vendim nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në transferimet që tashmë janë bërë.

/GazetaBlic Sport/