Duke filluar nga ora 11:00, zjarrfikësit e Kosovës nesër do të protestojnë para Qeverisë.
Kjo për shkak të mospërmbushjes, siç njoftojnë ata, të kërkesave të tyre rreth moskompensimit për rrezikshmëri në punë.
“Ju njoftojmë se Kryesia e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës dhe këshilli protestues ka vendosur që në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit, mosplotësimi i kërkesave të parashtruara me kohë, kërkesa të drejta dhe legjitime, moskompensimi për rrezikshmëri në punë, mosgatishmëria që Qeveria të zgjidh drejt problemet e krijuara edhe pas takimeve që kishim, zjarrfikësit e Kosovës kanë vendosur që me datën 14.12.2023 të riaktivizojë protestën si formë e presionit sindikal. Protesta do të organizohet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në ora 11:00 dhe do të vazhdojë deri sa të na informojnë për qëndrimin dhe të marrim një konfirmim dhe përgjigje nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Bëhet e ditur se protesta do të jetë paqësore.
Një protestë zjarrfikësit e kanë mbajtur më 30 nëntor, me ç’rast kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka ka njoftuar se pas protestës, kanë zhvilluar një takim me disa zyrtarë, me të cilët siç ka potencuar ai, janë dakorduar që brenda një jave të marrin një përgjigje lidhur me kërkesat e parashtruara.
Të njëjtit po ashtu kanë thënë se janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.


