Lajme

“Opozita e paalternativë/Asociacioni e dëmton LVV-në”- Parashikimi i i analistëve për zgjedhjet e ardhshme!

12/12/2023 18:54
nga:Y I

Kanë mbetur pak më shumë se një vit kur qytetarët e Kosovës do t’iu drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e ri të ekzekutivit.

Lëvizja Vetëvendosje, partia e cila aktualisht udhëheq me vendin, në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi mbi 50% të votave duke formuar e vetme qeverinë.

Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes ajo nuk ka patur ‘presion’ të madh opozitar për të rrezikuar qeverisjen e saj dhe si duket do të jetë partia e parë që nga paslufta e cila përfundon mandatin e plotë 4-vjeçar.

Por si pritet të qëndrojë ky subjekt politik në  zgjedhjet e ardhshme përballë përballë partive të tjera opozitare?

Porfesori universitar, Fadil Maloku, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se duke marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur, ajo që mund ta dëmtojë imazhin e kësaj partie është Asociacioni.

Maloku pohon se nëse Asociacioni është ‘de juro’ një pushtet i tretë, LVV-ja i humbet zgjedhjet.

“Duke marrë parasysh shumë procese dhe zhvillime, ndërkohë që ndodhën gjatë qeverisjes së LVV-së sidomos ato rreth bisedimeve me Serbinë, kam përshtypje se momenti krucial që mund ta dëmtoj imazhin e saj ka të bëjë dhe është shumë i ndërlidhur me çështjen e Asociacionit  ku ajo kishte premtuar se ai me qeverisjen e saj, nuk ka shanse të implemtentohet… në dimensionet dhe përmasat e Marrëveshjes së vitit 2013 dhe ate 2015”

“Tani, meqë dihet se ajo do e implementoj Draft Statutin e Asociacionit, i cili për mendimin tim me çfarëdo kompetencash që të ketë ai, do shndërrohet në një kancer i “gjallë” që do e gërryej në faza afatgjata sovranitetin e shtetësisë së Kosovës. Dilemat edhe me tej mbeten rreth shkallares së kompetencave që do i ketë ky “instrument” .Nëse është edhe de jure një pushtet i tretë, jam shumë i bindur që LVV do i humb zgjedhjet” deklaroi Maloku për “Gazeta Blic”.


Fadil Maloku, Profesor

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Blerim Gashi, po thotë se LVV-ja pritet të ketë një fitore me një rezultat më të thellë, se ai i 2021.

Ai potencon se opozita pa kauzë po i ndihmon shumë LVV-së që të dalë parti e parë.

“Ligji i reformuar zgjedhor ku diapsorës i lehtësohet pjesmarrja në zgjedhje, pastaj sukseset e qeverisë në luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe shtrirja e sovranititet e ligjshmerisë në veriun e vendit janë tregues politik që duhet pritur një rezultat edhe më bindës se sa herën e kaluar. Shto këtu edhe një vetbllokim dhe opozitbërje shterpë, pa vision e pa kauzë që i ndihmon mjaft shumë VV-së te dal në krye të listës me dallim shumë të madh nga partitë e tjera” dekalroi Gashi për “Gazeta Blic”

Blerim Gashi, Njohës i çështjeve politike

Po ndryshe nga Gashi po shprehet publicisti dhe analisti i njohur, Halil Matoshi.

Ai shtron pyetjen se si do të hyjë LVV-ja në zgjedhje kur janë dekonspiru të gjitha kauzat e saj.

Ndërsa për opozitën thotë se është e paalternativë.

“Si do të hyjë VV në zgjedhje kur janë dekonspiru të gjitha kauzat e saj? Opozita është në anën e Qeverisë, është homogjenizuar me pushtetin rreth nacionalizmit  dhe si e tillë nuk ka asnjë alternativë” deklaroi Matoshi për “Gazeta Blic”

Halil Matoshi, Publicit/Analist

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje, (LVV) u radhit në vendin e parë duke lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës(PDK) në vendin e dytë, në vendin e tretë u rëndit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ndërsa në vendin e katërt Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

/Gazeta Blic/

Gërxhaliu: Opozita sterile LDK- PDK, do të mundësojë fitoren e VV me mbi 50% në zgjedhjet e ardhshme