Ndarja buxhetore për vitin e ardhshëm për komunat e Kosovës ka ngjallur reagime të shumta.
Kjo pasi Qeveria e Kosovës ka favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket investimeve kapitale nga niveli qendror në komuna në vitin 2024.
Sipas një analize të Institutit GAP, Gjilani, Shtimja, Kamenica e Podujeva, janë në krye të listës sa i përket vlerës së investimeve të reja kapitale.
“Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”, thuhet në këtë analizë.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Ai vlerëson se shpërndarja e buxhetit tregon gjendjen e pushtetit qendror në raport me qytetarët, derisa thotë se Qeveria është e të gjithëve dhe jo e një partie.
“Kjo shpërndarje e buxhetit për investimet e reja kapitale, flet për gjendjen e pushtetit qendror, nivelin në të cilën gjendet pozita, në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria është e të gjithë qytetarëve, jo e një partie”, shprehet ai për Gazeta Blic.
Derisa uron të mos përsëritet kjo që ka bërë Qeveria, Lladrovci thotë se ndarja buxhetore nuk është e drejtë dhe se qytetarët presin trajtim të barabartë.
“Për fat të keq, tendenca e identifikimit të një subjekti politik me shtet, është e palejueshme në demokracinë tonë. Qytetarët presin trajtim të barabartë, ndërsa ky buxhet nuk është shpërndarë drejt, sepse, nuk janë të barabartë qytetarët që marrin për kokë banori 3 euro me 102, as me 80 euro. Nevojat e qytetarëve janë prioritet, jo nevojat për vota të një subjekti politik. Uroj që kjo praktikë të mos përsëritet”, deklaron kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci./Gazeta Blic/


