Sporti

Liga e Kampionëve, ndeshje vendimtare mbrëmjen e sotme, shansi i fundit për Manchester United

12/12/2023 09:15
nga:Mergim Rreci

Pas plot 5 javësh spektakël e rezultateve surprizë, mbrëmjen e kësaj të marte, kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë, UEFA Champions League do të nisë siparin e xhiros së 6-të e të fundit, të fazës së grupeve, për t’u bërë më pas gati për përballjet e muajit shkurt, ato me eleminim direkt.

Kështu, që prej orës 18:45 do të startojnë përballjet e katër grupeve të para, ku sfidat e para që do të luhen janë ato të grupit B, Lens-Sevilla e PSV-Arsenal. “Andaluzianët” e Sevilla shpresojnë te një “hap fals” i francezëve për të kaluar në UEFA Europa League, kompeticion të cilin e njohin mjaft mirë, duke marrë parasysh edhe faktin, që janë skuadra që e kanë fituar më shumë, në plot 7 raste. Në përballjen tjetër, PSV do të kërkojë të testojë vetën përballë “Topçinjve”, të cilët nuk luajnë për asgjë, pasi tashmë e kanë siguruar kualifikimin, si “koka” e këtij grupi.

Në orën 21:00 do të nisin 6 përballjet e fundit, të kësaj të marte, ku padyshim ato që bien, më shumë në sy, janë përballjet e grupit A, Copenhagen-Galatasaray e Manchester United-Bayern Munich, me të gjitha skuadrat, përveç, “Baverezëve” gjermanë, që luftojnë për kualifikimin, teksa në grup renditen në këtë mënyrë, Bayern Munich, në vendin e parë me 13 pikë, Copenhagen, pas gjermanëve, me 5 pikë, në vendin e 3-të pozicionohen “Luanët” e Galatasaray, me 5 pikë, ndërsa në vendin e fundit, të grupit janë “Djajtë e Kuq”, me 4 pikë, duke lënë çdo gjë të hapur për sfidat e fundit.

Përballje interesante pritet të ketë edhe në grupin C, me kampionët në fuqi, të Italisë, Napoli-n, që do të përballet, në “Stadio Diego Armando Maradaona”, me portugezët e Braga-s, ku qoftë edhe një barazi i mjafton napoletanëve, për të siguruar një vend në raundin e 1/16-ve, të UEFA Champions League, ndërsa, në përballjen tjetër, të këtij grupi, “Galaktikët” e Real Madrid do të udhëtojnë drejt “Olympiastadion” të Berlinit, për t’u përballur me gjermanët e Union Berlin, me këta të fundit, që synojnë 3 pikët e para, në historin e tyre, në këtë kompeticion, përballë “Los Blancos”, tashmë të kualifikuar.

Ndërkaq, në grupin e fundit, të kësaj mbrëmjeje, “Zikaltërit” e Inter presin në mitikun italian, “Giuseppe Meazza”, “Baskët” e Real Sociedad, në një përballje, që pritet të jetë goxha e luftuar, për kreun e këtij grupi, ndërsa në krahun tjetër, austriakët e Red-Bull Salzburg do të presin në Vjenë, “Shqiponjat” e Benfica, për të “vulosur” përfundimisht emrin e ekipit, që do të kalojë, në UEFA Europa League.