Ismet Kryeziu thotë se Qeveria Kurti po i diskriminon qytetarët për shkak të preferencave të tyre politike, raporton GazetaBlic.
Kryeziu e bëri këtë deklaratë pas ndarjes së buxhetit për investime kapitale nëpër komuna për vitin 2024.
“Qeveria e cila ka ardhur me premtimin për barazi dhe drejtësi, përmes ndarjes së buxhetit për investime kapitale nëpër komuna për vitin 2024, po i diskriminon qytetarët për shkak të preferencave të tyre politike”, tha Kryeziu.
Tutje, Kryeziu në rrjetin e tij social “Facebook” thotë se Qeveria Kurti ka tendencë që me taksa publike të bleje fuqi politike, duke marrë parasysh se 2025 është vit zgjedhor.
“Duke qenë se viti 2025 është vit zgjedhor, shpërndarja e buxhetit për investime kapitale të motivuara nga zgjedhjet, në favor të një grupi të caktuar zgjedhësish, tenton të korruptojë votën dhe të krijojë klientelizëm votues. Tendencë që me taksa publike të blejë fuqi politike”, thotë.
“Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë.” – Instituti GAP


