Xhavit Haliti nga PDK-ja, për Gazeta Blic ka thënë se bisedimet në Bruksel po bëhen për normalizim të raporteve dhe jo për njohje të Kosovës.
“Bisedimet me Brukselin nuk po bëhen për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, por për normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në vitin 2013 dhe 2015 si dhe planit zbatues të miratuar në Ohër”, ka thënë Haliti.
Pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se nuk ka Asociacion pa njohje nga Serbia, Haliti i përgjigjet duke thënë se nuk e kupton se ku inspirohen për këto deklarata.
“Mendoj që përfaqësuesit e shtetit duhet të sillen si shtetarë evropian dhe jo të bëjnë deklarata me papjekuri të madhe politike . Kur i ndëgjoj këto lloj deklaratash po më krijohet përshtypja që inspirimi i tyre nuk është nga politika moderne e mundëshme e kohës së sotme por nga legjenda për Mic Sokolin”, ka thënë ai për GazetaBlic.
Tutje Haliti ka potencuar se statuti duhet t’i njoh të drejtat sipas parimeve më demokratike të evropës.
“Asociacioni për t’u bërë është në proces. Statuti i propozuar nga BE, është duke u diskutuar dhe të gjithë faktorët relevantë BE, SHBA, NATO po presin miratimin e Statutit dhe hapjen e përspektivës së Ballkanit për në BE dhe shengenin Ballkanik”, shton Haliti.
“Kundërvënia e kësaj ideje dëmton perspektivën e Kosovës. Statuti duhet të njoh të drejtat maksimale sipas parimeve më demokratike të Evropës, por nuk duhet të pranojë që Asociacioni të ketë parlament përmes të cilit mund të shpallin shkëputjen nga Kosova”, tha Haliti për GazetaBlic.


