Analisti politik, Visar Xani, ka komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, se “s’ka Asociacion pa njohje nga Serbia”.
Ai thotë se kërkesa të tilla do të duhej të dorëzoheshin përpara marrëveshjes dhe pranimit për të filluar draftimin, raporton Gazeta Blic.
Xani në një prononcim për Gazeta Blic, theksoi se liderët institucional duhet të kenë deklarata të matura, derisa ka rikujtuar Konjufcën i cili ka përmendur se drafti i Asociacionit është sipas Kushtetutës.
“Kosova dhe liderët institucionalë duhet të kenë deklarata të matura. Kërkesa të tilla do të duhej të dorëzoheshin përpara marrëveshjes dhe pranimit për të filluar draftimin. Për më shumë, Konjufca kishte përmendur se drafti është sipas Kushtetutës. Veprime të tilla mund të na bëjnë një shtet jo serioz që marrim detyrime, premtojmë dhe nuk e zbatojmë!“, tha ai.
I pyetur se a do të mund të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, pas zgjedhjeve që pritet të mbahen në Serbi, analisti nuk e sheh të nevojshme këtë, teksa sipas tij nuk ka as opozitë gati dhe se qeveria ka punë për të bërë para se të shkojë në zgjedhje.
“Sa i përket zgjedhjeve në Kosovë, nuk e mendoj se duhet të këtë zgjedhje të parakohshme. Nuk ka nevojë për zgjedhje sepse nuk ka as opozitë gati dhe qeveria ka punë për të bërë para se të shkojë në zgjedhje. Pra, zgjedhjet e shpejta nuk i përshtaten asnjërës palë”, përfundoi Xani për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti politik, Fidan Ukaj, në një prononcim për Gazeta Blic, duke komentuar deklaratën e Konjufcës, tha se këto deklarata të kryeparlamentarit nuk përkojnë asgjë me realitetin në teren dhe janë më shumë për konsum të brendshëm elektoral.
“Sa herë i dëgjoj këto deklarata, që nuk përkojnë me realitetin në teren e me atë që shefi i partis së tij e Kryeministri Kurti ka vepruar në raport me marrëveshjet, mendoj se mundësia që të kemi zgjedhje të reja është afër, sepse këto deklarata të kryeparlamentarit Konjufca nuk përkojnë asgjë me realitetin në teren dhe janë më shumë për konsum të brendshëm elektoral”, tha ai.
Ukaj deklaroi se gjasat që edhe Kosova të shkojë në zgjedhje nacionale është e madhe, pasi që kryeministri Kurti përveç taktizimeve që po i bën marrëveshjes së dakorduar në Bruksel e Ohër, tanimë po mundohet që përmes nënshkrimit ta prolongojë zbatimin e kësaj marrëveshje.
“Mendoj se gjasat që edhe Kosova të shkojë në zgjedhje nacionale është e madhe pasi që kryeministri kurti pos taktizimeve që po i bën marrëveshjes së dakorduar në Bruksel e Ohër, tanimë po mundohet që përmes nënshkrimit ta prolongoj zbatimin e kësaj marrëveshje e gjasat që edhe vendin ta dërgojë në zgjedhje janë të mëdha, duke u munduar ta prolongoj formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, përfundoi Ukaj për Gazeta Blic.


