Lajme

Vëllai i Haxhi Shalës: Flitet se mund të ekstradohet në Hagë

12/11/2023 12:34
nga:G B

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e ka zhvilluar një operacion në fshatin Banjë të Malishevës, ku e kanë arrestuar ish-deputetin Haxhi Shala, i njohur me nofkën e luftës si komandant “TOPI”.

Lidhur me rastin për Klan Kosovën ka folur vëllai i tij, Avni Shala.

Ai tha se ka mundësi që komandant “Topi” do të ekstradohet në Hagë.

“Arsyet e arrestimit po thonë që janë për pengim të drejtësisë. Ka pasur forca të shumta të EULEX-it, ka zgjatur rreth 30 minuta. Nuk kanë konfiskuar ndonjë gjë. Këto arrestime janë të paligjshme. Kjo gjykatë është e padrejtë. Shkojnë dhe i marrin njerëzit veç pse kanë dhënë kontribut për vendin”, tha ai për Klan Kosovën.

“Arrestimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Ne s’kemi ditur asgjë. Unë kam shkuar në punë, familja më ka informuar më vonë, më thanë që kanë ardhur dhe e kanë marrë policia. Ai ka ardhur nga Prishtina ka pasur ta dërgojë babain në operacion në Prizren”, theksoi Shala.

Avni Shala, tha se vëllai i tij nuk i ikë drejtësisë.

Ai tha se ka qenë i intervistuar edhe më herët nga Specialja.

“Haxhiu është intervistuar, i është konfiskuar telefoni. I është përgjigur ftesës. Nuk i ikë drejtësisë s’ka pse me i ikë”, shtoi ai.