Lajme

Prokuroria deklarohet për arrestimin e personit të katërt në lidhje me vrasjen e Liridona Ademit

12/09/2023 21:57
nga:Sh R

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se është ndaluar personi i katërt i përfshirë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Zëdhënësja prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Express ka thënë se i njëjti dyshohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

“Iu konfirmojmë se me urdhër të prokurorit të rastit, është ndaluar i dyshuari i katërt në rastin e vrasjes së rëndë, për shkak të veprës penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, ka thënë Ulaj.

Ajo mes tjerash ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor, prokurori do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit.

Deri më tani për vrasjen e Liridona Ademajt janë arrestuar katër persona.

Naim Murseli bashkëshorti i saj, dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.