Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë njoftoi se Paneli i Gjykatës së Apelit e ka caktuar 14 dhjetorin si datë për shqiptimin e aktgjykimit të Apelit në çështjen e Salih Mustafës.
“Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në gjuhët shqipe, serbe ose angleze përmes rubrikës së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim) me një vonesë prej 10 minutash”, ka deklaruar Doule, në konferencën javore të DhSK-së.

Zëdhënësi Dolye në fillim të kësaj konference tha se më 1 dhjetor 2023, trupi gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë lëshoi një vendim të mëtejshëm mbi kërkesën e Prokurorisë për modifikimin e kushteve të paraburgimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, dhe Rexhep Selimin.
Sipas tij ky vendim zëvendëson vendimin e përkohshëm të 17 nëntorit.
“Rrjedhimisht, Trupi Gjykues urdhëroi Zyrën Administrative që të vendosë një sistem i cili të fokusohet në identifikimin dhe përjashtimin nga vizitat dhe komunikimet me tre të akuzuarit të vetëm atyre personave që mund të përbëjnë kërcënim për integritetin e procesit, ose të cilët përfshihen në sjellje të papajtueshme me rregullat e Njësisë së Paraburgimit”, tha ai
Zëdhënësi i DhSK-së tha se vizitat dhe komunikimet me këta tre të akuzuar nga persona të tjerë përveç mbrojtësve të tyre, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq apo Avokatit të Popullit të DHSK-së, duhet të marrin miratimin paraprak të Administratores, në mënyrë që të merren parasysh të gjitha aspektet relevante juridike, praktik edhe të sigurisë.
“Ndër masat e tjera, Trupi Gjykues urdhëroi gjithashtu ndryshimin e kushteve të vizitave. Për shembull, secili nga tre të akuzuarit nuk mund të takojë më shumë se një vizitor në një vizitë, me përjashtim të vizitave nga bashkëshortet dhe fëmijët”, tha Dolye.
Gjatë kësaj konference, lidhur me rastin Thaçi dhe të tjerët u tha se në dy vendime të tjera Trupi Gjykues miratoi mocionin e Prokurorisë për pranim në prova të deklaratave me shkrim të tre dëshmitarëve dhe autorizoi që një dëshmitar tjetër të japë dëshmi me videolidhje, për arsye shëndetësore. Po ashtu, u potencua që më 5 dhjetor, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë dhe pranoi si prova disa videomateriale, libra, dhe artikuj gazetash.
“Në seancat gjyqësore në çështjen Thaçi dhe të tjerë, këtë javë deri tani kanë dëshmuar dy dëshmitarë. Të hënën, më 4 dhjetor, Sadik Halitjaha, ish-epror në UÇK, vazhdoi dhënien e dëshmisë. Me përfundimin e dëshmisë së tij, të martën filloi dëshminë dëshmitarja e tridhjetetetë e thirrur nga Prokuroria, Sandra Miçëll (Mitchell), zyrtare e OSBE-së që ka punuar më parë në Kosovë. Seancat gjyqësore në këtë çështje do të zhvillohen javën e ardhshme nga e hëna deri të mërkurën”, tha zëdhënësi Dolye./BetimipërDrejtësi


