Asambleistja nga radhët e LDK-së dega në Gjilan, Afërdita Balaj, është kërcënuar pak ditë më parë nga një person përmes telefoni, për çka edhe është njoftuar Policia e Kosovës.
Balaj këtë e ka konfirmuar për GazetaBlic ku tha se një kërcënim i tillë erdhi nga menaxheri i Bankës Ekonomike në Gjilan pas një fjalimi të saj në Kuvendin Komunal të Gjilanit, e cila ka shprehur pakënaqësinë e disa prindërve në një shkollë të kësaj komune, aty ku gruaja e personit që e kërcënoi punon.
Balaj ka dhënë më shumë detaje se si erdhi deri tek ky kërcënim.
“Kam qenë në asamble dhe më kanë ardh disa vërejtje nga shkolla ku punon gruaja e tij, ky dhe babai i tij kanë shkuar në shkollë dhe janë përzi në kompetenca të shkollës. Ato vërejtje i kanë bërë punëtorët e shkollës.Unë në Kuvendin komunal nuk kam cekur as emër të personit dhe as emër të shkollës, por vetëm iu kam drejtuar DKA-së me pyetjen: Pse sjelljet e punëtorëve që po i zgjedhni ju, janë shumë arrogante?”, tha Balaj.
“Këtë unë e kam pasur si vëretje, pas kësaj më thirri bashkëshorti i saj dhe më kërcënoi duke më thënë: A e din kush je ti, s’munesh ti me u merr me gruan time”, shtoi Balaj.
Tutje, Balaj tha se nuk preferon të flasë më për këtë temë pasi personi që kërcënoi i ka kërkuar falje.
“Unë shkova në polici, pastaj ai më ka thirrë dhe më ka kërkuar falje. Unë ia fala dhe nuk kisha dashtë me u merr më me këtë çështje”, tha Balaj për Gazetablic.


