Lajme

Presidentja paralajmëroi takim me opozitën për draftin e Asociacionit, flasin nga PDK e AAK

12/06/2023 19:48
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar takim me partitë opozitare në vend në ditët në vijim, për të diskutuar për draft statutin e Asociacionit, që javë më parë e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Osmani ka thënë se do t’i diskutojë komentet dhe vlerësimet e opozitës lidhur me draftin, në mënyrë që ato të inkorporohen në të.

Për takimin që pritet të mbahet në mes të Osmani dhe liderëve të partive opozitare, kanë folur për Gazeta Blic zëdhënësit e partive.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, thotë për Gazeta Blic se draftin e kanë pranuar, ndërsa për takimin do të flasin në ditët në vijim.

Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se AAK e ka pranuar draftin dhe e ka shpërndarë te anëtarët e kryesisë, ku nesër do të mbajnë mbledhjen dhe do të dalin me qëndrim.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. I njëjti i është shpërndarë gjithë anëtarëve të kryesisë, nga të cilët është kërkuar t’i bëjnë komentet e tyre lidhur me draft-statutin dhe të njëjtat do të diskutohen në mbledhjen e radhës së kryesisë së Aleancës, të thirrur për nesër në ora 17:00. Sapo të vendos kryesia e partisë, do të ju njoftojmë për qëndrimet tona”, deklaron Xhemaili./Gazeta Blic/

Draft-statuti i Asociacionit, Osmani paralajmëron takim me opozitën